A është mosha është faktor kyç për rrudhat mes ballit?Dhe, si ka mundësi, që disa njerëz duken më pak të plakur, se mosha që kanë dhe e kundërta. Mua personalisht, rrudha mes ballit më është zhvilluar besoj shumë shpejt, ndoshta 25 vjeç dhe nuk e kam kuptuar?
Patjetër, që mosha është faktor kyç për rrudhat mes ballit. Por siç e dimë të gjithë, disa njerëz duken më pak të plakur, se sa mosha biologjike dhe disa më të rinj. Po ashtu sa më i zhvilluar socio-ekonomikisht të jetë një vend dhe sa më i lartë të jetë cilësia e jetesës, aq më i ri duket i njëjti person, se sa do dukej ai vetë, apo bashkmoshatari i tij në një vend të pazhvilluar me probleme, socio- ekonomike dhe me nivel të ulët jetese. Mua, personalisht, rrudha mes vetullave më është zhvilluar besoj shumë shpejt, ndoshta 25 vjeç, apo të paktën atëherë ka filluar të më shqetësojë. Por, po ashtu, faktor po aq i rëndësishëm është lloji i jetës së gjithsecilit edhe brenda të njëjtit komunitet, emocioni predominant i një individi, profesioni, dhe jo më pak zakonet e pathëna të një vendi, një komuniteti apo kulture në kohë.
Rrudha mes ballit karakteristikë zhvillohet në moshë më të herët në Shqipëri, në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, duket sikur të jetë pjesë e paketës së bukurisë shqiptare (qesh). Kam filluar ta studioj si fenomen, qëkurse një pacientja ime, një nga femrat më të bukura shqiptare, një bukuri që do ishte e vlerësuar në të gjithë botën, më ka thënë një gjë shumë interesante rreth kësaj rrudhës mes vetullave (rrudha Intraglabelare). Sepse të ishe e bukur, – cilësoi ajo, – duhet të ishe edhe serioze edhe nervoze, se ndryshe nuk të merrnin seriozisht (qesh)… Një nga zonat më shpesh të trajtuara me Botoks në gjithë botën është pikërisht kjo rrudhë mes vetullave (intraglabelare). Këtu duhen pyetur specialistët në njohjen e karakterit të një individi nëpërmjet karakteristikave të fytyrës dhe specialistë të kriminalistikës, të cilët e konsiderojnë shfaqjen e parakohshme të rrudhës mes vetullave, si manifesti apo kompesim pune të personave në pozicione drejtuese dhe personaliteteve dominuese. Po ashtu, duket të jetë diçka që lidhet edhe me koshiencën kolektive. Injektimi me Botulinium Toxine në glabella (rrudhën midis vetullave) është edhe aplikimi i parë i Botoksit, i miratuar nga FDA (Food and Drog Administration). Injektimi i botoksit në këtë zonë ka edhe shumë efekte sekondare të pëlqyera, të cilat shfrytëzohen nga mjekësia për trajtimin e depresionit të thellë, migrenës (dhimbjes kronike të kokës), pagjumsisë, në rastet që këto problematika janë rezistente ndaj trajtimeve klasike dhe ripërtëriten shpesh. Rezultati është efikas. Në disa vende nordike, për këto diagnoza, trajtimi me botox në Glabella mbulohet nga siguracioni mjekësor, prej 10 vitesh tashmë. Në mjekësinë estetike njihet edhe si “Zona e Lumturisë”, ose “Botox i i Lumturise” pasi në përgjithësi, pacientit pas Botoxit në glabella, bota i duket më rozë (qesh).
Shkruar nga Dr. Rudina Thanasi