Mund të na jepni disa këshilla, e nisim nga më të kërkuarat. Çfarë bën Dr. Rudina, për rrudhat e syve të dhe të ballit? A është në fakt botox-i i famshëm një paralizues muskujsh dhe bën edhe efektin e njëjtë si te një person i paralizuar, nga mesi e poshtë, le të themi. Një i paralizuar i tillë, i ka këmbët e holla, pra edhe muskujt e lëkurës të fytyrës në këtë rast hollohen, si te i paralizuari?
Botox-i (Botulinium Toxina) është linja e parë dhe më e leverdisshmja për pacientin me rrudha mimike. Është një metodë shumë elegante, joinvazive dhe pa nevojë për kohë rekuperimi. Po ashtu, është një metodë e saktë dhe e sigurt, kur përdoren substancat e kontrolluara dhe kur praktikohet nga mjekë specialist, por edhe eksperienca është shumë e rëndësishme. Injektimi me BOTOX është perfekt për të eliminuar rrudhat e mimikës dhe kur flitet për rrudhat e pjesës së sipërme të fytyrës, bëhet fjalë për rrudha mimike. Si shume medikamente ne mjeksi edhe Botoxi ne doza te ndryshme dhe individuale ka efekte te ndryshme. Botoksi estetik duhet te jete gjithmone relaksues. Ideali është që një pacienti t’ja çosh formën e fytyrës nëpërmjet ndryshimit të ekuilibrimit të forcave kontraktuese, aty ku ishin pesë vite më parë. Ose t’i përafrohemi. Zakonisht, një pacienti që e ka për herë të pare, i rekomandoj të më sjellë një foto të tij, që i pëlqen dhe ku imazhi që ka për veten i përkon me pasqyrimin në fotografi, ku ka dalë pesë vite më parë. Muskujt e fytyrës janë shumë interesantë, me një dinamike speciale, dinamikë finesën dhe detajet e së cilës mjekësia në përgjithësi nuk e njihte përpara se të fillonim të injektonim BOTOX-in, e mësuam rrugës. Pikërisht nga eksperienca me injektimet me Botulinium Toksine, tani është krijuar ndërtuar dhe zhvilluar një degë e re e anatomisë, ajo Dinamike. Në mjekësi njiheshin mirë muskujt, ose presupozonim që dinim gjithçka për ta, por mësuam shumë më shumë në këta 15-18 vjet të eksperiencës me Botulinium Toxine për efekte estetike. Dhe ky, në fakt, për mendimin tim, është edhe kontributi më i madh që ka dhënë botulinum toxin, në mjekësi. Tani dimë mirë se ç’bëjnë muskujt e fytyres. si komunikojnë me njëri-tjetrin, kush janë llojet e ndryshme të ndërtimit të tyre, çfarë bëjnë stria të caktuara brenda një muskuli, si veprojnë brenda një muskuli dhe si lidhen në mënyra të ndryshme, me muskujt e tjerë. Po ashtu, kuptojmë shumë më mirë të lexojmë dhe intrepretojmë gjendjen emocionale të pacientit për të kuptuar çfarë po përjeton dhe çfarë zakonesh emocionale ka, duke na mundësuar ta ndihmojmë kështu edhe më shumë. Muskujt e fytyrës janë pjesa më interesante e të gjithë trupit, janë si një rrjet komunikues me njëra-tjetrën, kur ti ngacmon njërin, i ke ngarcmuar të gjithë, dhe përgjithmonë. Çdo mjek dermato-kosmetik, kirurg estetik dhe çdo pacient duhet ta ketë parasysh këtë. Megjithëse efekti i botoksit kalon, ti ke ndryshuar ekuilibrat. Dhe, nëqoftëse këtë ekuilibbër e ke çuar atje ku duhet të ishte, të themi ke hequr atë forcën tërheqëse për poshtë, jo shumë të pëlqyeshme dhe e ke çuar fytyrën për lart nëpërmjet relaksimit të muskujve të duhur është shumë mire; nëse e ke paralizuar nuk është e shëndetshme dhe as estetike, nuk ka për të qenë mirë për kohë shumë më të gjatë, se sa vetë efekti i botoxit. Po ashtu, mundet të ketë një impakt jo të pëlqyeshëm në muskujt e tjerë, jo drejtpërdrejt të lidhur me muskulin e injektuar dhe, edhe më e rëndësishme do ketë një impakt në gjendjen emocionale. Duhet të dihet se vetë Botoxi kohën e përgjysmimit e ka 14 ditë, eliminohet plotësisht për 28 ditë nga trupi. Efektin estetik e ka nga 45 ditë deri në 6 muaj, sipas llojit të firmës prodhuese, zakonit të mimikës së pacientit, mjekimeve të tjera që ka marrë përpara dhe pas injektimit me Botox dhe zonës gjeografike (zonë e nxehtë apo e ftohtë).
Shkruar nga Dr. Rudina Thanasi