Skip to content

Trajtime Speciale

Trajtime Speciale Estetike

Mjekësia e bukurisë, dermatologjia, kirurgjia dermatologjike dhe esteike, kozmetika, anti-aging, wellbeing, janë fusha shumë të gjera, të gjalla dhe dinamike. Po aq sa janë të gjalla dhe në zhvillim si shkenca, po aq janë dhe subjektive, të lidhura ngushtë me perceptimin personal të së bukurës, të së mirës dhe të së shëndetshmes.

Janë art me vete po aq sa edhe shkencë e gjerë.  Si në shkencë edhe në art, përveç njohurive të përgjithshme dhe eksperiencës, po aq e rëndësishme është ajo procedurë në të cilën doktori beson vërtet dhe e zotëron më mirë se të tjerat. Vizioni i tij për estetiken, sensi personal i të bukurës, sensi personal i masës dhe mjeshtëria.

Trajtimet speciale janë ai grup procedurash, trajtimesh, në të cilat unë personalisht kam përvojën më të madhe dhe rezultate nga më të mirat.

Duke patur fatin dhe nderin të marr pjesë aktive që në lindjen e Botës së Bukurisë, Dermatologjisë super moderne në shpërthim zhvillimi këto 15 vitet e fundit dhe Kirurgjisë Dermatologjike po ashtu “të lindur” në këto 15 vjet, kam patur fatin të kem një nga përvojat e punës më të pasura në këto fusha.

Shumë prej këtyre trajtimeve speciale janë të konceptuara, filluara, përmirësuara apo individualizuara nga unë, si rezultat i ndërthurur i studimeve, eksperiencës në të gjitha ato specializime dhe kompetenca si dhe interesit dhe studimeve në fusha të tjera të shkencave mjekësore dhe trajnimeve si dhe studimeve të arkitekturës të së bukurës në art.

 

Trajtimet Speciale

Është një formë shumë e rëndë akneje, nekrozuese, ulceruese me temperaturë akute dhe akne konglobate. Mund të shfaqet me një shpërthim të menjëhershëm shumë të rëndë aknesh ulceruese, temperaturë dhe poliartrite. Mund të prezantojë sinovite, osteolite, hiperostozë, simptoma konstitucionale dhe anomali laboratori. Nëpër botë është jashtëzakonisht e rrallë.

Akneja fulminante ndryshe quhet edhe Akne Malinje.

Është një formë e rëndë dhe e rrallë e aknes. Ndryshe njihet edhe si akneja e procesit të rritjes. Zakonisht, shfaqet dhe shpërthen tërësisht, pra e ka kulmin e vet, pas moshës 26-27 vjeç, por simptomat e para të saj, nga përvojat që kemi pasur në klinikën tonë, mund të shfaqen qysh në moshën 13-vjeçare. 

Është shumë e rëndë si akne, me lezione të formave të ndryshme – nga puçrra të zakonshme e deri në gunga, formacione tumorale beninje, shumë cikatrizuese dhe deformuese. Lezionet mund të jenë në fytyrë, gjoks, shpatulla, këmbë, vithe, kokë, etj. Ndodh shumë rrallë që të shfaqen para moshës 26 vjeç. Është pothuajse një nga patologjitë kryesore në klinikën tonë.

Megjithëse shfaqet në një formë shumë të rëndë, ka mundësi trajtimi të plotë dhe është tërësisht e shërueshme. Është një patologji që një dermatolog me përvojë mund ta diagnostifikojë qysh në fillim, duke shmangur në mënyrë të tillë traumat e pacientit dhe familjes së tij.

Kombinimi në masë dhe i balancuar mes njohurive mbi dermatologjinë dhe kirurgjisë estetike joinvazive e bën trajtimin e kësaj patologjie jo vetëm shumë të suksesshëm, por edhe pa lënë asnjë shenjë.

Shpesh, me shaka, por dhe me të drejtën që më jep përvoja, u them pacientëve të shqetësuar dhe të traumatizuar se lëkura në fund të trajtimit do të jetë shumë herë më mirë dhe cilësore se para diagnostikimit me akne konglobate.

Lezionet në fytyrë, megjithëse më shumë traumatizuese se ato në pjesët e tjera të trupit, reagojnë më mirë dhe më shpejt ndaj trajtimit.

Pasi fytyra dhe trupi kthehen në gjendjen normale, trajtimi duhet të vazhdohet për një periudhë kohe rreth 18-24 muaj, në mënyrë që të sigurohemi se sëmundja nuk ka për t’u kthyer.

Është i njohur admirimi njerëzor për rininë. Të gjithë duam të dukemi më të rinj.

Rinia shoqërohet me vitalitetin dhe dëshirën për jetën, por dhe me të qënit i dëshiruar dhe shpresën për një të ardhme më të mirë. Por tashmë prej shumë vitesh televizioni dhe modelet e promovuara prej tij të bukurisë dhe rinisë së pësosur e bëjnë rininë gati-gati një normë sociale. Mosha është një fakt të cilit nuk i shmangemi dot, por mundemi ta ngadalësojmë dhe të moshohemi këndshëm me dinjitet, si estetikisht, por edhe nga ana shëndetësore. Këto njohuri, të bazuara në mirëkuptimin e procesit të moshimit, si rezultat i kuptimit të funksioneve të telomerëve, faktorëve hormonalë dhe procedurave estetike, na e ofrojnë mundësinë të moshohemi me dinjitet.

Anti-aging është një nga fushat më të kërkuara të mjekësisë së bukurisë.

Deri përpara 7-8 vjetëve, kuptimi ynë dhe ai i pacientëve për anti–aging kufizohej deri në nivelin e sipërfaqes së lëkurës. Tashmë, me një kuptim të ridimensionuar të procesit të moshës dhe me zbulimet e panumërta në fushën e mjekësisë dhe shkencave të lidhura ngushtë me të, mund t’u ofrojmë pacientëve një shërbim më domethënës në fushën e anti–aging. Jo vetëm trajtim estetik sipërfaqësor, por edhe mundësinë e ngadalësimit të procesit të plakjes, sigurisht brenda parametrave realistë. Një gjë e tillë është bërë e mundur nga bashkëpunimi dhe pjesëmarrja e shumë specialiteteve në Mjekësinë e Bukurisë, në veçanti endokrinologjisë dhe asaj të mirëqenies dhe rregullimit të ritmit ditor, mikrobiologjisë, nanoteknologjisë, etj.

Një nga procedurat më të kërkuara këto dy vitet e fundit është jo vetëm thjesht trajtimi i rrathëve të zinj apo të futur poshtë syve, por dëshira për të patur një shikim të plotë miqësor dhe të pafajshëm. Gjë që të paktën, në sipërfaqe, mundet ta ofrojë me shumë sukses Mjekësia e Bukurisë.

Si funksionon?

Fokusi është në plotësimin e dritëhijeve rreth e rrotull syrit, duke ruajtur dhe respektuar fizionominë, por edhe duke patur kujdes për të respektuar të tëra zonat e fytyrës.

Kush mund ta bëjë?

Një dermatolog, një kirurg plastik, një oftalmolog – të gjithë të tejspecializuar në estetikë.

Kërkon jo vetëm njohuri të detajuara mjekësore, por edhe një njohje shumë të mirë të fizionomisë së fytyrës 3 dimensionale.

Gjatë viteve, për t’iu përshtatur nevojave të pacientëve, injektimet me AH, BTX A, mezoterapia, kanë fituar një popullaritet shumë të madh. Si kirurge, duke hulumtuar efektin si të facelift-it që mund të japë kombinimi i duhur i këtyre metodave, kam vite që zgjedh këtë kombinim joinvaziv dhe të shëndetshëm për ta aplikuar mbi pacientin dhe jam munduar t’u shmangem sa më shumë metodave kirurgjikale, sigurisht atje ku më jepet dhe krijohet mundësia. Facelift liquid është një lifting jo kirurgjikal, joinvaziv. Nuk përjashtohet facelift kirurgjikal kur është absolutisht i nevojshëm. Kjo është një procedurë që nuk ka efekte negative dhe s’ka nevojë për kohë rekuperimi. Duke kombinuar injektimin e mbushësve (fillers) me acid hialuronik, Radiese, botulinium toxin dhe mezolift, u ofrojmë pacientëve një Facelift Liquid, me anë të të cilit ata mund të arrijnë: Një ngritje elegante të të gjithë tipareve individuale të fytyrës; Reduktimin e rrudhave sipërfaqësore dhe të thella; Restaurimin natyral të kontureve të fytyrës dhe përforcimin e linjave të konturit; Një pamje më të shplodhur dhe gjallëruese; Një buzëqeshje më miqësore.

Çdo fytyrë ka karakteristikat e saj të veçanta.  Tiparet, volumet dhe distancat midis tyre janë të rëndësishme. Por ajo që na bën më shumë apo më pak të bukur është harmonia midis tyre.

Me siguri ju ka qëlluar të shikoni 2 binjakë identikë dhe po prapë midis tyre njëri të jetë më i bukur se tjetri. Apo ju ka ndodhur të shikoni njerëz me tipare jo të veçanta, por që për një arsye që nuk e kuptoni ju duken shumë të bukur.

Kjo mënyrë e të konceptuarit të trajtimit estetik të fytyrës, intensifikon harmonizimin e fytyrës, me qëllimin për të optimalizuar maksimalisht bukurinë tuaj pa bërë asnjë ndryshim të dukshëm.

Shpesh, pacienti mbas kësaj procedure, shikohet në pasqyrë me kujdes, por nuk vë re asnjë ndryshim, THJESHT DUKET DHE NDIHET I BUKUR. 

Fenomeni i lëkurës së trashur ka qenë i përhapur më parë në vendet e nxehta dhe mesdhetare, por sot e shohim të shtrirë në gjithë botën. Gjithashtu, tipar tjetër i kësaj patologjie është se ka qenë dukuri e përhapur kryesisht tek meshkujt, por edhe tek femrat tashmë e gjejmë të përhapur në mënyrë të konsiderueshme. Nëse kohë më parë ka qenë një simptomë e ndeshur kryesisht te moshat mbi 50 vjeç, sot mund ta ndeshim edhe para të 16-ave. Kjo lëkurë është më e përhapur tek njerëzit me predispozitë akneike dhe seboreike, pra njerëzit lëkura e të cilëve ka më shumë tendencë në krijimin e akneve, si dhe në lëkurat e yndyrshme apo të pahidratuara si duhet. Simptomat e saj përgjithësisht janë: 

-Njëfarë nuance lehtësisht gri e lëkurës.
-Ideja se është lëkurë mbi lëkurë. 
-Lëkura ka humbur gjallërinë dhe ngjyrën. 
Por trajtimi i kësaj lëkure jep shumë efekt dhe është mëse i dukshëm rezultati final.


Si funksionon?
Trajtimi përqendrohet në shkatërrimin e lëkurës dyfishe dhe rindërtimin e një lëkure të shëndetshme, të gjallë e plot vitalitet. Realizohet me një kombinim individual metodash, të cilat në fund e lënë pacientin shumë të kënaqur. Jo vetëm që duket bukur në lëkurën “e re”, por edhe më rehat dhe sigurisht pa komplekse estetike të jashtme. Shfrytëzohet dhe stimulohet aftësia e vetë lëkurës për t’u rigjallëruar. Rezultati i përftuar nuk është thjesht estetik, por përmirëson vërtet cilësinë e lëkurës.

Në bazë të preferencave, trajtimi i shenjave post akne bëhet pas stabilizimit të aknes konglobate, apo fulminante, akne të cilat kanë predispozitën më të madhe të lënë shenja.

Mënyrat e trajtimit të shenjave janë:

  • Peeling kirurgjikal
  • Mezoterapi për shenja dhe stretchmarks
  • Mezoterapi dehiscente
  • Mezoterapi revitalizues
  • Filler mbushës
  • Filler vitalizues

Sipas rastit, vjetërsisë, llojit të shenjave dhe llojit të lëkurës, mund të jetë e nevojshme vetëm një procedurë si peeling kirurgjikal (disa seanca, nga 4- 6, peeling-u të mesëm me zona të mesme të thella apo peeling-u kirurgjikal), që është edhe pjesë e domosdoshme për trajtimin e aknes konglobate dhe fulminante. Dhe atëherë 70 % e trajtimit të shenjave bëhet përgjatë trajtimit klasik të aknes. Për rastet më të veçanta, bëhet një kombinim i peeling-ut me metodat e përmendura më lart.

E rëndësishme është që shenjat trajtohen shumë mirë. Zgjidhja është shumë e mundshme, shumë efikase, e shëndetshme. Përdoret aftësia e vetë lëkurës për t’u ripërtërirë. Dhe rezultati i përfituar nuk humbet kurrë. Sigurisht, trajtimi i suksesshëm i shenjave të aknes nuk e ndalon dot pacientin të krijojë shenja të tjera.

Për arsye të ndryshme, lëkura nuk e përballon dot presionin dhe efektivisht çahet. Si mekanizëm kompensimi, një ind fibroz jonatyral i tendosur apo i flashkët ndërtohet si arnë që lëkura në përgjithësi të vazhdojë të ofrojë funksionin e saj primar – mbrojtjen nga faktorët e jashtëm.

Pjesa më e madhe e kushteve të formimit është shumë e njohur npothyuajse te të gjithë njerëzit:

  • Gjatë dhe pas shtatzanisë,
  • Adoleshenca me adaptimet hormonale
  • Shëndeti i menjëhershëm
  • Humbja e menjëhershme në peshë
  • Trajtim me kortizonikë, etj.

Po ashtu, edhe arsye jo aq shumë të njohura, si sëmundja Nelson, apo dhe defekte të elasticitetit, në shumicën e rasteve sipas përvojës sime, bashkëekzistojnë me patologjitë e metabolizmit.

Trajtimi i stretchmarks është një sfidë jo e vogël për mjekësinë, por totalisht i mundshëm dhe shumë efikas.

Në parim, trajtimi i stretchmarks përfshin, ndihmon dhe është shumë efikas në të gjitha patologjitë plagëshëruese dhe atyre të elastozës, duke iu adresuar për më tepër, për çdocilin nga këto probleme, edhe specifikës së tyre individuale:

  • Shenjat post-akne,
  • Humbjet e elasticitetit,
  • Shenjat post-operative,
  • Shenjat e kafshimeve me humbje substance,
  • Cikatricet hipertrofike, hipotrofike,
  • Cikatricet keloidiane retraktile,
  • Cikatrice pas djegies,
  • Cikatrice imobilizuese,
  • Cikatrice mutiluese.

 

Si funksionon?

Për të trajtuar stretchmarks me rezultate shumë të mira, duhen marr në shqyrtim të gjithë faktorët etiopatogjenikë dhe sëmundjet apo predispozitat personale dhe familjare. Në rastin e nevojshëm, rekomandohen konsulta tek specialisti i fushës së patologjisë mbështetëse dhe nëse është nevoja, bashkëpunim. Rekomandohen disa analiza për të depistuar shkakun kryesor dhe ekuilibrin hormonal.

Trajtimi ka katër qëllime:

  1. Të rindërtojë lëkurën e shkëputur poshtë indit fibroz jo natyral
  2. Në kohën e duhur të shkatërrojë indin fibroz jo natyral
  3. Rindërtimi i një shtrese sipërfaqësore indi fibroz natyral të shëndetshëm.
  4. Qëllimi për të arritur me kalimin e kohës drejt një lëkure pothuajse normale, duke u bazuar tek prirja e natyrshme dhe vetë-aftësia e lëkurës për t’u rindërtuar, pasi të gjallërohet, vitalizohet dhe t’i largohet indi fibroz jonatyral si pengesë.

Secili nga këto qëllime, terapi-target, ka trajtim më vete.

Zakonisht, janë 1-12 seanca trajtimi. Të performuara në 1-3 javë distance nga njëra-tjetra. Nëse seancat bëhen me diferencë muajsh apo vitesh midis tyre, kjo nuk do të ketë ndikim në rezultatin përfundimtar në asnjë mënyrë. Çfarëdo që përfitohet nga secila séance, mbetet përgjithmonë dhe e pavarur nga vazhdimi i trajtimit.

Rezultatet

Rezultatet e trajtimit janë të mrekullueshme dhe shumë efikase për të gjithë ata që konsiderojnë 70% përmirësim, efikas, sepse gjithë terapia, në parim, është e ndërtuar në aftësinë e lëkurës për vetërigjenerim dhe seancat e trajtimit varen nga vitaliteti individual personal i çdo pacienti.

Rezultatet në më shumë se 90 % të rasteve janë të mrekullueshme, shumë efikase, me të paktën 70% përmirësim të përhershëm. Janë të qëndrueshme dhe të parikthyeshme, të paktën në 9 vjet përvojë personale në kët fushë e them me siguri.

Kur do filloj t’i shoh rezultatet?

Rezultatet fillojnë të shihen qysh në seancën e parë, në disa raste janë dramatike (për mirë). Në përgjithësi, ndryshimet dhe dallimin e bën në seancën e dytë-të tretë.

Kush janë efektet anësore?

Efektet anësore janë vetëm locale, të përkohshme deri në 1 javë, dhe vetëm estetike, dhe respektivisht, sipas procedurave, konsistojnë në:

  • Nxirje
  • Enjtje
  • Skuqje
  • Nxehtësi lokale
  • Njolla kafe
  • Ndjeshmëri të përkohshme

Mjetet e trajtimit janë

  • Peeling kirurgjikal
  • Mezoterapi revitalizuese
  • Mezoterapi specifike stretchmarks me substanca:
  • Antiproliferuese,
  • Anticicatriciale,
  • Oligoelement
  • Antifibrolitike
  • Accelerator celular
  • Activator etj.
  • Dhe fluidizante hidratuese dhe restabilizuese
  • Nanoterapi

Çfarë duhet të shmangë pacienti gjatë trajtimit?

  • Nuk duhet të bëjë dush me ujë të nxehtë për 6 orë
  • Jo sauna për 12 orë
  • Ditën e trajtimit nuk rekomandohen kafeja, pijet stimuluese, aspirina dhe të gjitha AINS, por nuk janë të detyrueshme
  • Duhet të përdorë fotoprotektor në zonën e trajtuar gjatë gjithë kohës së trajtimit dhe një muaj mbas tij, si dhe gjatë dimrit.

Kjo mënyrë e te trajtuarit të estetikës së trupit dhe fytyrës ka ardhur si rrjedhojë e eksperiencës time të gjatë të punës, me shumë personazhe të ekranit, skenës dhe njerëz publik në shumë vende të Evropes dhe jashtë saj.

Ky trajtim është formuar në kohë në përpjekje për t’u përshtatur nevojave te tyre të duken sa më mirë nën llojet e ndryshme te ndriçimeve, sipas specifikave konceptuale të perceptimit të bukurisë së shtetit që punojnë, edhe në jetën private, ku shpesh janë të pambrojtur nga fotografët jo dashamirës.

Kujt i dedikohet ky trajtim?

Ky trajtim është i dedikuar për personat publikë, por edhe kujtdo qe pëlqen perfeksionin dhe paraqitjen Hollywood.

Qëllimi i Trajtimit Fotoshop-like:

Qëllimi është të duken njësoj, po aq mirë dhe të bukur nga natyra, si në kopertinën e revistës edhe në televizione, skena dhe jetën e përditshme. Bukuri perfekte natyrale e shëndetshme pa defekte nën çdo dritë dhe situatë.

Si funksionon?

Fokusi vendoset në drite hije. Rindërtohet nje model tridimensional i individualizuar i pacientit duke marrë parasysh ndriçimet e duhura me spektra të ndryshëm ngjyrash.

Është një tendencë e kohëve të fundit. Prezanton një koncept të ri të korrektimit estetik të fytyrës.

Si funksionon?

Vëmendja përqendrohet tërësisht në shëndetin dhe gjallërinë e lëkurës.

Përveç faktorëve klasikë natyralë të progresit në moshë, po vihet re një plakje e parakohshme, ku faktorët dominantë janë ekspozimi në diell, pirja e duhanit, pagjumësia, stresi dhe ndërgjegjja kolektive e moshës. Deri përpara 2-3 viteve, ky fenomen ishte më i dukshëm në vendet e nxehta dhe mesdhetare. Sot ky fenomen është përhapur në një gjeografi shumë të gjerë dhe e ka humbur lokalizmin.

Volumetria lindi si koncept për t’iu përgjigjur nevojave të kohës së pacientëve, për t’u ofruar jo vetëm një paraqitje të re, por edhe një lëkurë të shëndetshme dhe plot gjallëri. 

Procedura është elegante, me rezultate të qëndrueshme në kohë, si estetikisht, edhe nga ana shëndetësore. Rezultatet shëndetësore qëndrojnë edhe përtej atyre estetike.