Filler dermal quhet çdo substancë mbushëse e përdorur për efekt estetik, rezultati i së cilës qëndron përtej kohës së injektimit.
Ka disa lloj fillerash. Besoj të gjithë keni dëgjuar për ta, sepse tregu i kozmetikës është i mbushur me shumëllojshmëri fillerash dermalë, po ashtu emra si acidi hialuronik apo kolagjeni përdoren dhe keqpërdoren tashmë rëndom në pothuajse të gjithë produktet kozmetike.
Më i njohuri dhe popullori këto vitet e fundit është acidi hialuronik (hyaluronic). Fatmirësisht është dhe më i miri.
Si ndahen fillerat?
Fillerat ndahen sipas kohëzgjatjes, po ashtu ndahen edhe sipas substancës së përdorur dhe volumit.
Në qoftë se flasim sipas kohëzgjatjes, kemi 3 lloj fillerash:
-Fillera temporalë apo të përkohshëm;
-Fillera semi-temporalë apo gjysmë të përkohshëm;
-Fillera permanentë apo të përhershëm.
Kush janë fillerat e përkohshëm?
Çdo filler i cili asorbohet në mënyrë natyrale nga trupi, në momentin kur mbaron efekti i tij estetik, konsiderohet filler i përkohshëm.
Fillerat temporalë ose të përkohshëm konsiderohen fillerat me kolagjen, me dhjamë dhe me acid hialuronik.
Këtu mjekësia ka shumë diskutime. Absorbimi dhe kohëzgjatja varen edhe nga shumë faktorë të tjerë, ndaj edhe klasifikimi është i diskutueshëm. (Disa autorë e konsiderojnë dhjamin si filler gjysmë të përkohshëm, disa të tjerë konsiderojnë edhe vetë forma të veçanta të acidit hialuronik si jo totalisht të përkohshme.)
Kush janë fillerat gjysmë të përkohshëm?
Filler semi-temporal konsiderohet çfarëdolloj filleri i cili, edhe mbas përfundimit të efektit estetik, qëndron për një kohë në trup.
Për shembull, marrim Radiesee, në qoftë se do të vijë momenti të punoni me të. Një pacient do t’ju thotë që, edhe vite mbasi ka mbaruar efekti estetik i fillerit (Radiesee), në radiologji i dallohet një si zonë homogjene (specifike për prezantimin radiologjik të kockave). Si të jetë kockë. (E rekomandueshme është të njoftohet pacienti qysh më përpara për këtë fenomen.)
Pra, çdo filler i cili qëndron në trup edhe mbasi ka mbaruar efektin e tij estetik, quhet semi-temporal. Këta fillera, në fakt, në aspektin estetik, nuk qëndrojnë shumë më tepër se fillerat temporalë. Kohëzgjatja e efektit të tyre është 6-18 muaj (megjithëse në përgjithësi acidi hialuronik i zakonshëm qëndron 3-12 muaj në lëkurë, pastaj absorbohet; 40% i efektit të tij estetik, nëse injektimi është bërë nga një specialist dhe kujdesi është i duhuri nga pacienti, e ka kohëzgjatjen edhe 2-3 vjet).
Fillerat permanentë
Me siguri të tërë kanë dëgjuar për silikonin. Është shumë fashinant. Krijon një efekt të shkëlqyer, sidomos në buzë, por është një nga substancat më të dëmshme aktualisht në botë.
E theksoj jo më kot, sepse në vendet me ekonomi të dobët (por jo vetëm), si në Shqipëri, është një nga substancat që përdoret më shumë. Megjithëse është fashinant, efektet e tij janë të paparashikueshme, përveç efekteve dytësore që janë të pranishme në të tërë fillerat. Silikoni vë jetën në rrezik në kohëzgjatje. Disa nga efektet dytësore të pritshme rëndom nga silikoni i injektueshëm, janë: granuloma, nekroza, megrimi, embolia dhe, si rezultat, edhe verbimi, infarkti cerebral pulmonar, etj.