Në Shqipëri, kam parë shpesh që mjeku, që bën ndërhyrjet estetike, ndikon shumë tek pacienti, duke i thënë që duhet të bëjë këtë ndërhyrje, apo atë ndërhyrje. Si ndodh me ju dhe pacientët tuaj?
Kur pacienti i drejtohet një doktori estetik, Dermatolog-Kozmetik, Kirurg Estetik apo Kirurg Plastik, si princip i është drejtuar, sepse dëshiron të bëjë një procedure estetike. Për shkak të ndrojtjes, mentalitetit apo, ku di unë çfarë… Pyet doktorin: “Çfarë duhet të bëj une?”. Ndonjëherë vijnë pacientë, që më pyesin: “Çfarë kam nevojë të bëj në fytyrë? Atehëre i pyes, se çfarë dëshirojnë të bëjnë? Ndonjëherë përgjigja është: “Asgjë!”. Atëherë i pyes se çfarë i shqetëson? Nëse përgjigjja është përsëri “asgjë”, atëherë dhe unë u them: “Mos bëj asgjë”. E vërteta është që mjekësia estetike si asnjë mjekësi tjetër, ka të bëjë me pacientë të shëndetshëm. Në të vërtetë, nuk të duhet asgjë. Siç shpesh mundohem t’ju shpegoj pacientëve të mi të rinj në moshë, Estetika nuk është një detyrim social, nuk është një çantë Luis Vuitton. Nuk është një trend social, nuk bëhet as për shoqet, as për shokët. Mjekësia estetike është një mjekësi lluksi, është përkujdesje për veten, është një mjet për të përshtatur imazhin e brendshëm që shikon për veten, me sytë e mendjes, me reflektimin tënd në pasqyrë. PO, është një status social, ekonomik dhe kulturor, kur nuk është e dukshme. Nese kthehemi mbrapa në historinë e njerëzimit, ndërhyrjet estetike datojnë që në Egjiptin e Kleopatrës dhe ishin një privilegj që u përkisnin të përzgjedhurve, familjes perandorake, vetëm atyre që konsideroheshin “Hyjnorë”. Për më tepër, kishte ligje që dënonin ashpër këdo tjetër, përveç “Hyjnorëve”, që dëshironin të bënin piling kimik apo injektimin e dyllit (një pararendës i fillerave të sotëm). Konsiderohej mashtrim i rëndë. Që në fillimet e karrierës sime si Dermatolog Kozmetik, mbi 16 vjet tashmë, mënyra e abordimit të një pacienti që s’kërkon asgjë (qesh), është rekomandimi i Asgjë-së. Edhe më duket korrekte kështu. Sigurisht, që unë mund të shikoj shumë gjëra me atë syrin tim profesionist, se si ky pacient mund të jetë në formën e tij maksimale. Por kjo nuk është as nevojë, as domosdoshmëri. Do do ishte jo etike profesionalisht, ta frustroja, duke i vënë në dukje defektet, nëse i quajmë kështu. Pasi, po t’i thotë doktori se, këtë rrudhën këtu ti duhet ta heqësh, ai mund të bëhet me psikozë, mbase ajo rrudhë nuk është arsyeja pse ka ardhur.. Pacientët kanë besim tek ne, dhe fjala jonë si specialist ka peshë. Siç u them shpesh pacientëve: Nuk është një detyrim që të heqësh rrudhat, nuk është një detyrim që të rregullosh lëkurën, etj. Nuk duhet të jenë të tërë me patjetër, Sophia Loren dhe Brad Pitt. Njeriu duhet të ndihet mirë në lëkurën e vet.. Por, nëse një pacient më thotë, që unë do të doja të dukesha, le të themi, si te kjo fotografia ime (e tij), apo kam dëshirë të dukem më mirë dhe çfarë do të më sugjeroje ti, që të dukesha më mirë? Atëherë i sugjoroj atë, që unë e konsideroj më të përshtatshme për pacientin në fjalë, duke marrë në konsideratë llojin e jetës, profesionin, moshën që ka dhe buxhetin që disponon. Mbase mjekë të tjerë përpiqen ta marrin me mend, se çfarë e shqetëson pacientin me dëshirën për ta ndihmuar të kalojë ndrojtjen dhe i sugjerojnë vetë përpara, se çfarë mundet t’i shërbejë. Këto janë ndryshime perceptimi. Nga eksperienca, një pacient që nuk e di se çfarë dëshiron, apo nuk është gati ta shprehë se çfarë dëshiron, apo çfarë e shqetëson, nuk mundet të jetë kurrë i kënaqur, as nga rezultati më perfekt.
Në përgjithësi, një doktor çfarëdolloj specialiteti të jetë dhe cfarëdolloj interesi personal të ketë, në radhë të parë është doktor, është një person që ka zgjedhur me vetëdije, që në moshën 18 vjeç të vërë veten dhe jetën e tij në shërbim të të tjerëve. Një mjek i specializuar ka investuar minimalisht 12 vjet dhe vazhdon të investojë që të të ndihmojë ty për këtë gjë. Kështu, në përgjithësi, të gjithë mjekët, duan të të japin maksimumin brenda asaj që dinë dhe të abordojnë ty si pacient, në mënyrën që e konsiderojnë më etike.
Shkruar nga Dr. Rudina Thanasi