Skip to content

Kirurgjia Estetike. Bukuria është e rëndësishme por jo nëse kompromenton shendetin. Nga Dr. Rudina Thanasi

kirurgjia-plastike-dhe-estetike_l

Dr. Rudina Thanasi flet “pa dorashka” për plus minuset te kirurgjia estetike.
Operacioni doli me sukses, pacienti vdiq!
“Pse jam kundër bisturisë si zgjidhja e parë dhe të gjitha arsyet që më çojnë të mirëmendohem për metoda të tjera, kur bëj një rimodelim”
Intervistoi Silvana Balliu


Po dëgjojmë e po shikojmë përditë e më shumë, femra, (pa përjashtuar vitet e fundit edhe meshkujt), të cilët kanë bërë ndërhyrje estetike. Kjo temë ka kundërshtitë e veta në një shoqëri konservatore si kjo e jona dhe të gjithë ne, me sa duket jemi kthyer pro dhe kundër. Por, ja si na shpjegon një specialiste e vërtetë, një nga mjeket që merret prej vitesh me dermatologjinë Kozmetike moderne dhe Kirurgjinë estetike që në fillimet e saj, në Evrope dhe në kryeqytet. Dr. Rudina Thanasi thotë aq shumë të vërteta, ashtu siç jo shpesh na takon t’i dëgjojmë. Shumë gjëra që nuk i keni ditur për injektimin e të famshmshit BOTOX, e deri te ndërhyrjet më të thjeshta. Por, Dr.Thanasi ka një sqarim profesional për të gjithë mbireagimet nga mungesa e informacionit te duhur, sa herë që në vend ndodh një operacion jo i suksesshëm, ku të gjithë ne, turremi të gjejmë fajtorin.. Ajo thotë JO! Këtu të gjithë ne, që nuk e dimë se ç’është mjekësia, me sa duket, gabojmë rëndë. Doktoresha citon një shprehje të vjetër, që thotë, “Operacioni doli me sukses, pacienti vdiq”. Sado paradoksale duket, është shumë herë e vërtetë. Ajo, si e bija e një kirurgu të përgjithshëm, jep këshilla të arta, për të gjithë ata që duan t’u nënshtrohen procedurave estetike. Jo direkt te operacioni! Ekzistojnë metoda të tjera, që mund të arrijmë të bukurën, operacioni është gjithnjë një zgjedhje e fundit, kur nuk ekziston asnjë alternativë joinvazive dhe mundësisht, kur është e nevojshme nga ana shëndetësore, sepse nuk ka operacion të vështirë dhe operacion të lehtë. Operacionin lëreni si “gur të fundit”, thotë ajo.

Për më shumë ju ftoj të ndiqni DR. Rudinën…

Mua, në një bisedë me ju, më ka lënë mbresë një pohim, në lidhje me atë çka ju tha babai juaj, kirurg me eksperiencë, kur ju nisët të realizonit, le të themi, ndërhyrjet e para estetike invazive, të cilat sigurisht sjellin rezultate të shpejta dhe e bëjnë më shpejt të lumtur pacientin? 

Në lidhje me operacionet, ne fillimet e mija si Kirurg Estetik, babi më tha kështu:

Avash me operacionet, – më tha, – Bukuria është e rëndësishme, por s’duhet të kompromentojë shëndetin. Ti duhet të kuptosh vetë ne radhe te pare dhe pastaj t’i shpjegosh edhe pacientit, se operacioni është si nock out per nje boksier. Fizikisht dhe emocionalisht njeriu nuk eshte me i njejti. Kështu është edhe me “Operacionet e Lehta”. Në qoftëse nuk është i nevojshëm totalisht, duhet shmangur maksimalisht. Pra, operationi duhet të jetë opsioni i fundit. Ai, duke qenë kirurg i përgjithshëm, operacionin e linte për opsion të fundit dhe në fakt, kirurgët me shumë eksperiencë, nuk do të të operojnë kurrë, nëse nuk është absolutisht e nevojshme.

Mund të na jepni disa këshilla, e nisim nga më të kërkuarat. Çfarë bën Dr. Rudina, për rrudhat e syve të dhe të ballit? A është në fakt botox-i i famshëm një paralizues muskujsh dhe bën edhe efektin e njëjtë si te një person i paralizuar, nga mesi e poshtë, le të themi. Një i paralizuar i tillë, i ka këmbët e holla, pra edhe muskujt e lëkurës të fytyrës në këtë rast hollohen, si te i paralizuari?

Botox-i (Botulinium Toxina) është linja e parë dhe më e leverdisshmja për pacientin me rrudha mimike. Është një metodë shumë elegante, joinvazive dhe pa nevojë për kohë rekuperimi. Po ashtu, është një metodë e saktë dhe e sigurt, kur përdoren substancat e kontrolluara dhe kur praktikohet nga mjekë specialist, por edhe eksperienca është shumë e rëndësishme. Injektimi me BOTOX është perfekt për të eliminuar rrudhat e mimikës dhe kur flitet për rrudhat e pjesës së sipërme të fytyrës, bëhet fjalë për rrudha mimike. Si shume medikamente ne mjeksi edhe Botoxi ne doza te ndryshme dhe individuale ka efekte te ndryshme. Botoksi estetik duhet te jete gjithmone relaksues. Ideali është që një pacienti t’ja çosh formën e fytyrës nëpërmjet ndryshimit të ekuilibrimit të forcave kontraktuese, aty ku ishin pesë vite më parë. Ose t’i përafrohemi. Zakonisht, një pacienti që e ka për herë të pare, i rekomandoj të më sjellë një foto të tij, që i pëlqen dhe ku imazhi që ka për veten i përkon me pasqyrimin në fotografi, ku ka dalë pesë vite më parë. Muskujt e fytyrës janë shumë interesantë, me një dinamike speciale, dinamikë finesën dhe detajet e së cilës mjekësia në përgjithësi nuk e njihte përpara se të fillonim të injektonim BOTOX-in, e mësuam rrugës. Pikërisht nga eksperienca me injektimet me Botulinium Toksine, tani është krijuar ndërtuar dhe zhvilluar një degë e re e anatomisë, ajo Dinamike. Në mjekësi njiheshin mirë muskujt, ose presupozonim që dinim gjithçka për ta, por mësuam shumë më shumë në këta 15-18 vjet të eksperiencës me Botulinium Toxine për efekte estetike. Dhe ky, në fakt, për mendimin tim, është edhe kontributi më i madh që ka dhënë botulinum toxin, në mjekësi. Tani dimë mirë se ç’bëjnë muskujt e fytyres. si komunikojnë me njëri-tjetrin, kush janë llojet e ndryshme të ndërtimit të tyre, çfarë bëjnë stria të caktuara brenda një muskuli, si veprojnë brenda një muskuli dhe si lidhen në mënyra të ndryshme, me muskujt e tjerë. Po ashtu, kuptojmë shumë më mirë të lexojmë dhe intrepretojmë gjendjen emocionale të pacientit për të kuptuar çfarë po përjeton dhe çfarë zakonesh emocionale ka, duke na mundësuar ta ndihmojmë kështu edhe më shumë. Muskujt e fytyrës janë pjesa më interesante e të gjithë trupit, janë si një rrjet komunikues me njëra-tjetrën, kur ti ngacmon njërin, i ke ngarcmuar të gjithë, dhe përgjithmonë. Çdo mjek dermato-kosmetik, kirurg estetik dhe çdo pacient duhet ta ketë parasysh këtë. Megjithëse efekti i botoksit kalon, ti ke ndryshuar ekuilibrat. Dhe, nëqoftëse këtë ekuilibbër e ke çuar atje ku duhet të ishte, të themi ke hequr atë forcën tërheqëse për poshtë, jo shumë të pëlqyeshme dhe e ke çuar fytyrën për lart nëpërmjet relaksimit të muskujve të duhur është shumë mire; nëse e ke paralizuar nuk është e shëndetshme dhe as estetike, nuk ka për të qenë mirë për kohë shumë më të gjatë, se sa vetë efekti i botoxit. Po ashtu, mundet të ketë një impakt jo të pëlqyeshëm në muskujt e tjerë, jo drejtpërdrejt të lidhur me muskulin e injektuar dhe, edhe më e rëndësishme do ketë një impakt në gjendjen emocionale. Duhet të dihet se vetë Botoxi kohën e përgjysmimit e ka 14 ditë, eliminohet plotësisht për 28 ditë nga trupi. Efektin estetik e ka nga 45 ditë deri në 6 muaj, sipas llojit të firmës prodhuese, zakonit të mimikës së pacientit, mjekimeve të tjera që ka marrë përpara dhe pas injektimit me Botox dhe zonës gjeografike (zonë e nxehtë apo e ftohtë).

Pra, këtu kujdes! Rreziku është i lartë!? 

Po, këtu mund të themi që, aq sa e mirë mund të jetë, aq e dëmshme mund të jetë. Megjithatë, nëse substanca është e sigurt, dëmtimet janë të llojit estetik, kompromentojnë paraqitjen disa për dy javë, tre javë, të tjerat për 2 vjet e më shumë, sidomos nëse nuk kuptohet që kanë ardhur si rezultat i injektimit me botox. Pacienti duhet të jetë i ndërgjegjshëm dhe doktori duhet të njohë mimikën e fytyrës dhe mimiken e pacientit, që ka në trajtim. Unë, zakonisht i thërras pacientët të rivijnë për dy javë, sepse pavarësisht se u kërkoj pacientëve të bëjnë mimika të ndryshme përpara injektimit, për të kuptuar sa është forca e “x muskuli”, si ndërvepron, kush stria e tij është më e fortë, kush kompeson në bazë të zakoneve të përditshme të pacientit, kush është emocioni më domethënës për të, përsëri ndonjëherë është e vështirë t’i kuptosh të gjitha, gjatë një konsulte të zakonshme. Çdo muskul ka ngarkesën e tij dhe atrofizimin e tij nga koha, apo zakoni. Varet, sipas llojit të karakterit. Efektet sekondare të botoxit, që zakonisht shqetësojnë shumë pacientin, janë rënia e qepallës së sipërme apo rënia e vetullave, efekte sekondare që nuk kanë kohëzgjatësi (vetëm 2-3 javë), ndërsa ato që shqetësojnë një expert Kirurgjie estetike apo dermo-kozmetike që shikon me vizion për të ardhmen e pacientit, janë atrofizimi i muskujve, rënia e qafës dhe transformimi i mimikës.

A është mosha është faktor kyç për rrudhat mes ballit?Dhe, si ka mundësi, që disa njerëz duken më pak të plakur, se mosha që kanë dhe e kundërta. Mua personalisht, rrudha mes ballit më është zhvilluar besoj shumë shpejt, ndoshta 25 vjeç dhe nuk e kam kuptuar? 

Patjetër, që mosha është faktor kyç për rrudhat mes ballit. Por siç e dimë të gjithë, disa njerëz duken më pak të plakur, se sa mosha biologjike dhe disa më të rinj. Po ashtu sa më i zhvilluar socio-ekonomikisht të jetë një vend dhe sa më i lartë të jetë cilësia e jetesës, aq më i ri duket i njëjti person, se sa do dukej ai vetë, apo bashkmoshatari i tij në një vend të pazhvilluar me probleme, socio- ekonomike dhe me nivel të ulët jetese. Mua, personalisht, rrudha mes vetullave më është zhvilluar besoj shumë shpejt, ndoshta 25 vjeç, apo të paktën atëherë ka filluar të më shqetësojë. Por, po ashtu, faktor po aq i rëndësishëm është lloji i jetës së gjithsecilit edhe brenda të njëjtit komunitet, emocioni predominant i një individi, profesioni, dhe jo më pak zakonet e pathëna të një vendi, një komuniteti apo kulture në kohë.

Rrudha mes ballit karakteristikë zhvillohet në moshë më të herët në Shqipëri, në krahasim me pjesën tjetër të Evropës, duket sikur të jetë pjesë e paketës së bukurisë shqiptare (qesh). Kam filluar ta studioj si fenomen, qëkurse një pacientja ime, një nga femrat më të bukura shqiptare, një bukuri që do ishte e vlerësuar në të gjithë botën, më ka thënë një gjë shumë interesante rreth kësaj rrudhës mes vetullave (rrudha Intraglabelare). Sepse të ishe e bukur, – cilësoi ajo, – duhet të ishe edhe serioze edhe nervoze, se ndryshe nuk të merrnin seriozisht (qesh)… Një nga zonat më shpesh të trajtuara me Botoks në gjithë botën është pikërisht kjo rrudhë mes vetullave (intraglabelare). Këtu duhen pyetur specialistët në njohjen e karakterit të një individi nëpërmjet karakteristikave të fytyrës dhe specialistë të kriminalistikës, të cilët e konsiderojnë shfaqjen e parakohshme të rrudhës mes vetullave, si manifesti apo kompesim pune të personave në pozicione drejtuese dhe personaliteteve dominuese. Po ashtu, duket të jetë diçka që lidhet edhe me koshiencën kolektive. Injektimi me Botulinium Toxine në glabella (rrudhën midis vetullave) është edhe aplikimi i parë i Botoksit, i miratuar nga FDA (Food and Drog Administration). Injektimi i botoksit në këtë zonë ka edhe shumë efekte sekondare të pëlqyera, të cilat shfrytëzohen nga mjekësia për trajtimin e depresionit të thellë, migrenës (dhimbjes kronike të kokës), pagjumsisë, në rastet që këto problematika janë rezistente ndaj trajtimeve klasike dhe ripërtëriten shpesh. Rezultati është efikas. Në disa vende nordike, për këto diagnoza, trajtimi me botox në Glabella mbulohet nga siguracioni mjekësor, prej 10 vitesh tashmë. Në mjekësinë estetike njihet edhe si “Zona e Lumturisë”, ose “Botox i i Lumturise” pasi në përgjithësi, pacientit pas Botoxit në glabella, bota i duket më rozë (qesh).

Po, kur flasim për rhinoplastikën, mund të më shpjegoni, se cila është rruga që ju ndiqni, kur një pacient ju paraqitet me një shqetësim të tillë? 

Në qoftë se personi ka probleme funksionale, ka një devijim septi të theksuar, ka mish në hundë, unë e drejtoj tek një specialist otorinolog. Nëse devijimi është për shkak të ndonjë goditje, apo aksidenti, atëherë i rekomandoj t’i drejtohen një doktori specialist Kirurg Plastik, apo Kirurg Otorinolog.

Në qoftë se bëhet fjalë për një ndërhyrje estetike, për t’i rregulluar paraqitjen e hundës, për t’i sheshuar gungën, për t’ja drejtuar, për t’i rregulluar harkun, apo për ngritjen dhe modelimin e majës dhe projeksionit të hundës, atëherë modelimi bëhet shumë i thjeshtë, jo invaziv, pa efekte sekondare dhe pa kohë rekuperimi, po me botox apo me acidin hialuronik, efekti është i menjëhershëm.

Një ndërhyrje estetike e hundës, nëse dështon, një herë apo dy here, a ka vështirësi për këto lloj rastesh? Apo janë shumë, më shumë se dy herë? 

Mund të përsëritet sa herë të duash, pasi të dyja materialet që përdoren edhe BOTOX edhe acidi hialuronik, janë të përkohshëm, pjesërisht.

Mendoni se arrihet efekti i dëshiruar me këtë metodë? 

E arrijmë pothuajse gjithmonë. Efekti është i menjëhershëm. Pacienti e shikon rezultatin për 2-12 minuta. Është një nga procedurat estetike me nivelin më të lartë të plotësimit të pritshmërive të pacientit. Reagimi i pacientit kur shikon veten në pasqyrë, është gjithmonë – Uaaauuuuu (qesh)
Por, gjithmonë varet nga rasti, nga zgjedhja me kujdes e rasteve, nga komunikimi i drejtpërdrejt me pacientin dhe pritshmëritë realiste. Siç lart përmenda, kur shqetësimi që e sjell pacientin tek ne është i një natyre tjetër, jo thjesht estetike, apo është një deformim përtej normales, atëherë i rekomandohet pacientit një koleg i specialiteteve të mësipërme. Edhe kur nga ana funksionale ndërhyrja kirurgjikale nuk është e nevojshme, por deformimi nuk riparohet dot, thjesht me metoda joinvazive, për pacientët të cilët formën e hundës së tyre e përjetojnë si dramë, apo një block psikologjik, atëherë kirurgjia do të ishte zgjidhje. Edhe në këto raste, nëqoftëse nuk është bërë deri në moshën 25 vjeç, apo maksimumi deri në të 30-at, pas kësaj moshe është e palogjikshme. Pasi, block-u social më i fortë është deri në moshën 25 vjeç. Pas të 30-ave, edhe mjeku, edhe pacienti duhet të konshtietizojnë që ndërhyrja nuk bëhet si plotësim i dëshirës personale të pacientit. Pra, pacienti nuk e bën më ndërhyrjen për vete, por e bën për dikë tjetër dhe atëherë, nuk ka si të jetë një ndërhyrje e suksesshme, kurrë. Ndërhyrjet estetike invazive apo joinvazive kanë kuptim dhe kanë një nivel të lartë suksesi, kur pacienti i bën për t’u ndjerë më mirë me veten, për të përshtatur imazhin e brendshëm të vetvetes me pasqyrimin e tij në pasqyrë. Unë bëj një pyetësor të detajuar, shpesh, ndonjëherë edhe të përsëritur. Përpara çdo trajtimi, mjeku duhet të sigurohet që pacienti e ka kuptuar mirë, se kush është rezultati i mundshëm dhe me preferencë merr edhe kohën e duhur të informohet dhe të vendosë të bëjë trajtimin estetik. Zakonisht, pacientët tanë janë shumë të kënaqur.

Por, kur flasim për ndërhyrjen, në lidhje me rimodelimin e gjoksit, ne e bëjmë për vete, apo e bëjmë për të kënaqur partnerin. Pra, nga komplekset që kemi me partnerin? Po meshkujt? 

Çudia më e madhe është se femrat nuk e bëjnë ndërhyrjen as për vete, as për partnerin, por e bëjnë për femrat e tjera. Madje, shumë studime psikologjie kanë treguar, se kur një femër bën një ndërhyrje estetike për zmadhimin e gjoksit, nuk investon as për vete, as të jetë e pëlqyer nga partenerii. Dhe, as nga komplekset që mund të kenë me partnerin, por qe të jetë kompetitive me femrat e tjera. Tani varet, çdo gjë është sipas situatës.

Tek meshkujt ka një specifikë, që unë nuk e prisja, por e kam vënë re në Shqipëri, më shumë se sa në vendet e tjera të Evropës, krahasimisht me femrat. Meshkujt janë shumë të qartë në atë rezultat që dëshirojnë. Nuk u intereson procesi, por janë të fokusuar në rezultat. Dëshirojnë që procedura të mos jetë e dukshme, por të ndihen më mirë.. Janë shumë të vëmendshëm ndaj detajeve. Zakonisht, kërkojnë më të mirën e mundshme, edhe nëse është përtej buxhetit të paramenduar. Janë po aq të saktë edhe me respektimin e kohës, kur duhet bërë konsulta për kontrollin e rezultatit të përfituar, po ashtu edhe me kohën kur duhet ripërtëritur proceduara estetike për mbarëvajtjen e rezultatit. Kështu, në kohë të gjatë, përfitojnë edhe në kosto, edhe në rezultatin e përfituar.

Në Shqipëri, kam parë shpesh që mjeku, që bën ndërhyrjet estetike, ndikon shumë tek pacienti, duke i thënë që duhet të bëjë këtë ndërhyrje, apo atë ndërhyrje. Si ndodh me ju dhe pacientët tuaj? 

Kur pacienti i drejtohet një doktori estetik, Dermatolog-Kozmetik, Kirurg Estetik apo Kirurg Plastik, si princip i është drejtuar, sepse dëshiron të bëjë një procedure estetike. Për shkak të ndrojtjes, mentalitetit apo, ku di unë çfarë… Pyet doktorin: “Çfarë duhet të bëj une?”. Ndonjëherë vijnë pacientë, që më pyesin: “Çfarë kam nevojë të bëj në fytyrë? Atehëre i pyes, se çfarë dëshirojnë të bëjnë? Ndonjëherë përgjigja është: “Asgjë!”. Atëherë i pyes se çfarë i shqetëson? Nëse përgjigjja është përsëri “asgjë”, atëherë dhe unë u them: “Mos bëj asgjë”. E vërteta është që mjekësia estetike si asnjë mjekësi tjetër, ka të bëjë me pacientë të shëndetshëm. Në të vërtetë, nuk të duhet asgjë. Siç shpesh mundohem t’ju shpegoj pacientëve të mi të rinj në moshë, Estetika nuk është një detyrim social, nuk është një çantë Luis Vuitton. Nuk është një trend social, nuk bëhet as për shoqet, as për shokët. Mjekësia estetike është një mjekësi lluksi, është përkujdesje për veten, është një mjet për të përshtatur imazhin e brendshëm që shikon për veten, me sytë e mendjes, me reflektimin tënd në pasqyrë. PO, është një status social, ekonomik dhe kulturor, kur nuk është e dukshme. Nese kthehemi mbrapa në historinë e njerëzimit, ndërhyrjet estetike datojnë që në Egjiptin e Kleopatrës dhe ishin një privilegj që u përkisnin të përzgjedhurve, familjes perandorake, vetëm atyre që konsideroheshin “Hyjnorë”. Për më tepër, kishte ligje që dënonin ashpër këdo tjetër, përveç “Hyjnorëve”, që dëshironin të bënin piling kimik apo injektimin e dyllit (një pararendës i fillerave të sotëm). Konsiderohej mashtrim i rëndë. Që në fillimet e karrierës sime si Dermatolog Kozmetik, mbi 16 vjet tashmë, mënyra e abordimit të një pacienti që s’kërkon asgjë (qesh), është rekomandimi i Asgjë-së. Edhe më duket korrekte kështu. Sigurisht, që unë mund të shikoj shumë gjëra me atë syrin tim profesionist, se si ky pacient mund të jetë në formën e tij maksimale. Por kjo nuk është as nevojë, as domosdoshmëri. Do do ishte jo etike profesionalisht, ta frustroja, duke i vënë në dukje defektet, nëse i quajmë kështu. Pasi, po t’i thotë doktori se, këtë rrudhën këtu ti duhet ta heqësh, ai mund të bëhet me psikozë, mbase ajo rrudhë nuk është arsyeja pse ka ardhur.. Pacientët kanë besim tek ne, dhe fjala jonë si specialist ka peshë. Siç u them shpesh pacientëve: Nuk është një detyrim që të heqësh rrudhat, nuk është një detyrim që të rregullosh lëkurën, etj. Nuk duhet të jenë të tërë me patjetër, Sophia Loren dhe Brad Pitt. Njeriu duhet të ndihet mirë në lëkurën e vet.. Por, nëse një pacient më thotë, që unë do të doja të dukesha, le të themi, si te kjo fotografia ime (e tij), apo kam dëshirë të dukem më mirë dhe çfarë do të më sugjeroje ti, që të dukesha më mirë? Atëherë i sugjoroj atë, që unë e konsideroj më të përshtatshme për pacientin në fjalë, duke marrë në konsideratë llojin e jetës, profesionin, moshën që ka dhe buxhetin që disponon. Mbase mjekë të tjerë përpiqen ta marrin me mend, se çfarë e shqetëson pacientin me dëshirën për ta ndihmuar të kalojë ndrojtjen dhe i sugjerojnë vetë përpara, se çfarë mundet t’i shërbejë. Këto janë ndryshime perceptimi. Nga eksperienca, një pacient që nuk e di se çfarë dëshiron, apo nuk është gati ta shprehë se çfarë dëshiron, apo çfarë e shqetëson, nuk mundet të jetë kurrë i kënaqur, as nga rezultati më perfekt.

Në përgjithësi, një doktor çfarëdolloj specialiteti të jetë dhe cfarëdolloj interesi personal të ketë, në radhë të parë është doktor, është një person që ka zgjedhur me vetëdije, që në moshën 18 vjeç të vërë veten dhe jetën e tij në shërbim të të tjerëve. Një mjek i specializuar ka investuar minimalisht 12 vjet dhe vazhdon të investojë që të të ndihmojë ty për këtë gjë. Kështu, në përgjithësi, të gjithë mjekët, duan të të japin maksimumin brenda asaj që dinë dhe të abordojnë ty si pacient, në mënyrën që e konsiderojnë më etike.

A është qafa pjesa më e vështirë për t’u rimodeluar? 

Rimodelimi i qafës është shumë i vështirë, por nuk është i pamundur. Në fakt, më e vështira nga të tëra është optimalizimi, apo rregullimi i kualitetit të lëkurës së qafës. Qafa është e vështirë, sepse zakonisht janë 3-10 probleme bashkë në të njëjtën kohë, të cilat duan trajtim individual, duke patur gjithmonë parasysh rezultatin final të përgjithshëm.

Qafa është një nga zonat e trupit në të cilën reflektohen qartë pjesa më e madhe e problemeve të fytyrës, e historisë emocionale të një individi, por edhe disa nga shqetësimet mjekësore.

Problemet me qafën mundet të jenë të llojit muskular, mundet të jetë një depozitim dhjami nga shëndeti, depresioni apo një shpërthim i përkohshëm i aktivitetit të gjendës mbirenale, mundet të jetë një rënie e fytyrës nga depresioni apo një trajtim botox-i i ekzagjeruar në zonën rreth syve, mundet të jetë trashja e lëkurës, rrudha të lëkurës, humbja e elasticitetit apo mungesa totale e shtresës së dermit, nga mosha, nga trashëgimia familjare, apo një proces autoimun. Pasi saktësohet qartë problematika dhe arsyet e krimit të saj, fillon trajtimi për një nga këto probleme, që e shqetëson më shumë pacientin, apo të gjitha bashkë.

Tjetër gjë e rëndësishme është, që duhet të koinçidojë vizioni i mjekut për të bukurën dhe vizioni i pacientit për të bukurën. Apo duhent diagnostikuar me kujdes pacientet me tulbullime personaliteti tip skizofrenik, dismorfike. Ata qe mund te jene shume te bukur por veten e shikojne te shemtuar. Pershembull , keto dite kisha një paciente që kishte dy rrudha të tmerrshme mes vetullave në moshën 24 vjeç, por ajo që e shqetësonte, ishte një rrudhë te balli, që ishte totalisht e padukshme. Apo gusha e ” dyfisht” qe ekzistonte e tille vec ne imagjinate.

Çfarë bëhet për qafën, konkretisht? 

Sigurisht, mund të bëhet kirurgji, mund të bëhet “threads”. Threads janë ato fijet që tërheqin, që janë më pak invazive sesa kirurgjia, por prapë invazive janë. Mund të bëhen injeksione botox, mund të bëhet Piling Kimik, mund të bëhen injektime me acid hialuronik jo filler, mund të bëhet mezoterapi, lipolizë apo mezolife (një koktejl individual, që është produkt i klinikës sonë) ect.

 

Shkruar nga Dr. Rudina Thanasi

 

Related News