Skip to content

Çmitizimi i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (SST)

FullSizeRender-700x407

Rritja e informimit dhe kontributi ynë si profesionistë të fushës në edukimin e shoqërisë lidhur me sëmundjet seksualisht të transmetueshme do të ulë stresin dhe ankthin që ekziston rreth Sëmundjeve Seksualisht të Transmetueshme (SST). Po të shtosh këtu edhe turpin dhe pështjellimin që vjen nga informacione jo gjithmonë të sakta, misioni yne bëhet edhe më i çmuar në ndihmë të shoqërisë.

Informimi sa më i saktë gjithashtu na ndihmon të gjithëve të çmitizojë disa mite urbane që na prishin me kot qetësinë, marrëdhënien në çift, besimin në vetvete dhe shëndetin.

Duke punuar prej vitesh, me pacientë të nënshtetësive, moshave, klasave sociale dhe ekonomike të ndryshme fillon të observosh që disa faktorë të përgjithshme ndikojnë tek ne të gjithë, pa diskriminim gjinie, shtetesie, ngjyre apo gjendjeje sociale dhe ekonomike. ta faktorë të përgjithshëm janë gjithmonë të lidhur drejtpërdrejt apo indirekt me jetën seksuale, përjetimin e seksualitetit dhe sëmundjet seksualisht te transmetueshme.

Po ashtu, shumë shqetësues është edhe konstatimi i faktit se ka shumë pacientë që lindin me SST,  dhe as nuk e dinë që janë të sëmurë. Për më tepër nuk e njohin gjendjen e të qenit i  shëndetshëm. 
Komplikimet e Sëmundjeve Seksualisht të transmetueshme janë të shumta, dhe të mirëfshehura. Në kushte të tilla pacienti shkon tek mjekë me specialitete te ndryshme. Të gjithë i japin shërbimin e duhur, kryesisht duke bërë trajtime simptomatike, megjithatë shqetësimet  vazhdojnë. Pacienti fillon të frustrohet se sapo mbaron një sëmundje, fillon tjetra. Dhe me të drejtë, nuk ka se si t’u shkojë mendja se meningjiti, hepatomegalia, uretritet, cistitet, ndërprerjet e shtatzanive, rënia e flokëve apo flokët e rrallë, vështirësia për të bërë fëmijë, humbja e fëmijës, sëmundjet e të sapolindurit, shterpësia apo psikoza mund të vijnë edhe thjesht si rrjedhojë e një Sëmundje Seksualisht të Transmetueshme (SST shkurtimisht) të rëndomtë, të fshehur, e cila është lehtësisht e trajtueshme me një dozë të vetme të antibiotikut të duhur.

Jo të rralla janë po ashtu edhe rastet e trajtimeve të gjata dhe të çuditshme, gati legjendare, nga disa muaj deri në disa vite të SST-ve te zakonshme, me antibiotikë të shkëlqyer, por jo funksionalë në rastin aktual, të cilat vetëm e traumatizojnë pacientin dhe ndërtojnë mite urbane vështirë të kapërcyeshme mbi pashpresmërinë e trajtimit të SST-së. Mite që kanë të bëjnë me gonorrenë, klamidian apo sifilizin primar, makthe urbane që demoralizojnë miqtë dhe të njohurit e pacientit t’i drejtohen doktorit në të ardhmen.

Si doktoreshë, më duhet jo vetëm të trajtoj pacientin, por edhe të kujdesem që t’i largoj ankthin ndaj sëmundjes dhe ndërlikimeve të paragjykimit social.

Një arsye po aq e rëndësishmë janë paradokset urbane të himenit. Mbi gojëdhëna se si duhet të jetë ky himeni dhe çfarë bombe shpërthyese pritet të bjerë natën e parë të martesës. Informacione të ofruara me shumë dashamirësi nga të afërm dhe miq, por që për shkak të mungesës së bazës mjekësore korrekte, bëhen shkak për shkatërrimin e familjeve të tëra të pafajshme.


Botuar në “Gazeta Shqiptare”, data 15 10 2016

Related News