Dr. Rudina Thanasi prej 16 vitesh është eksperte me kontribute të veçanta në fushën e dermatologjisë-kozmetike (dermato estetike), venerologjisë. Misioni i saj është t’ i bëj njerëzit të ndihen të bukur dhe të shëndetshëm , të përmirësojë detaje të pamjes së tyre. Duket sikur në një botë që lëviz me ritme të shpejta , njeriu kërkon gjithnjë perfeksionin në pamje dhe të mposht vitet që mban mbi supe. Doktorante në Bukuresh, trajnere ndërkombëtare dhe autore, Rudina Thanasi rrëfen karrierën dhe momentin kur vendosi të kthehej në Shqipëri për të sjell revolucionin e dermo-kozmetikës.
Dr.Rudina prej 16 vitesh eksperte në dermatologji kozmetike, trajner ndërkombëtar, kërkuese shkencore, autor mjekësore dhe me një kontribute në fushën e dermatologjisë, dhe venerologjise. Cili ka qenë rrugëtimi juaj deri këtu?
Do te thosha që më ka ndjekur fati i klasës së parë. Prindërit e mi dëshironin që të mësoja nga mësuesja më e mirë në Shqipëri Semiha Spahiu, ndaj mundësuan të filloja shkollën një vit përpara moshës së lejuar. Më vonë vazhdova mjekësinë në Bukuresht, Rumani ku disa prej profesorëve të mi ishin personalitete botërore . Po në Bukuresht vazhdova 5 vjet specializim në dermatologji – venerologji dhe 6 vjet doktoratën në dermatologji, si rezident asistent dhe doktorant i profesor Forses, një nga legjendat e dermatologjisë moderne ashtu siç e njohim sot. Tani dëgjojmë për laser, kirurgji dermatologjike dhe dermato-kozmetike gjithandej e na duket se kështu ka qenë gjithmonë, por përpara 2 dekadash ishte shume revolucionare dhe e paimagjinuar dermatologjia ashtu siç është sot. Një pjesë shumë e rëndësishme e moderimit të dermatologjisë dhe respektimit të saj i dedikohet profesor Forses. Gjatë kësaj kohe mbrojta titullin e mjekut në Madrid Spanjë. Në 1999 gjatë një bisede me një kolege oftalmologe dëgjova për herë të parë për një prezantim në një kongres ndërkombëtar të një metode për trajtimin e rrudhave, prezantim i cili kishte hasur jo vetëm shumë kritika e kundërshtime, por ishte konsideruar qesharak në ambientet mjekësore. Bëhej fjalë për ‘’Injektimin me Botulinium Toksine’’ nga Jane dhe Alastair Carruthers. Ky informacion ndryshoi përgjithmonë drejtimin tim në mjekësi,( deri atëherë drejt kirurgjisë e ndikuar nga respekti për babain tim, Dr. Bashkim Thanasi). Që atë ditë ndoqa me shumë interes të gjitha punët e çiftit të Carruths, Dr Scote më vonë Dr Berger. Fati im i klasës së parë vazhdoi, pata mundësinë të mësoja injektimet botoks dhe acid hialuronik nga vetë Carruthers dhe Berger. Piling Dr Landou, dhe kështu në çdo procedurë apo aplikim të ri të dermato-kozmetikës që atëherë quhej kirurgji estetike nga shpikësit, pionerët dhe më të mirët e secilës procedurë. Në 2003 gjatë një prej kongreseve mu propozua të bëhesha trajnere dhe këshilluese mjekësore për një nga produktet e para dhe më të mira të acidit hialuronik. Fillimisht isha trajner për filler me acid hialuronik pastaj një ofertë sillte tjetrën dhe u bëra trajnere për shumë produkte dhe metoda të tjera, në Rumani dhe Evropë. Fillimet ishin shumë pasionante, por edhe shumë të vështira sepse u ndesha me kriticizmin dhe skepticizmin e të gjithë ambientit mjekësore si nga dermatologë, kirurg plasticien dhe kolegë të specialiteteve të tjera sepse kirurgjia estetike, sot dermato – kozmetika në atë kohë nënvlerësohej dhe kundërshtohej fort. Sot, që mbas 2008 kur kirurgjia estetike u bë biznesi më i suksesshëm me ngritje 600% është e rrallë të gjesh dikë që ka mundësi financiare dhe nuk ka bërë të paktën një procedurë estetike, por ishin të panjohura dhe të pa dëgjuara prej pjesës më të madhe të mjekëve dhe të pa aksesueshme nga popullsia në përgjithësi. Ishin procedura të rezervuara për të privilegjuarit VIP. Në 2010 erdha në Shqipëri dhe hapa kabinetin tim mjeksor, duke e ndarë kohën midis Tiranës dhe angazhimeve të mia të punës në Bukuresht dhe Evropë. Po në 2010 fillova me shumë kënaqësi bashkëpunimin me një spital të ri të sapo hapur në Tiranë. Ardhja ime në Shqipëri ishte një habi dhe shumë prej kolegëve e konsiderojnë edhe sot një çmenduri meqenëse Shqipëria nuk kishte treg për kirurgjinë estetike, kishte pak treg Evropa, jo më Shqipëria. Kjo ishte e vërteta. Por avash avash tashmë Tirana është një nga qytetet që besoj se ka më shumë mjek estetist për banor se shumë nga kryeqytetet evropiane. Ne shqiptarët siç duket mësojmë shpejt. Vjet duke u nisur nga situata urgjente e shtimit të numrit të pacientëve me sëmundje me transmetim seksual shkruajta librin ” Seksualiteti dhe Venerologjia.’’ Këtë vit së shpejti vjen një libër guidë praktike për mjekët të interesuar në dermatologji kozmetike.
Mjekësia e bukurisë kirurgjikale duket sikur është sa një domosdoshmëri në kohët moderne që jetojmë, po aq edhe një trend. Ju si e mendoni?
Bukuria gjithmonë ka fashinuar dhe tërhequr të gjithë. Që në kohët më të lashta gjejmë ndonjë copëz të formulave dhe studimeve të Kleopatrës; gjejmë shkrime për procedura pilingu të dedikuara vetëm hyjnoreve apo instrumente zbukurimi trupor që në shpellat paleolitike. Shkencërisht e provuar, të gjithë në subkonshiencë i konsiderojmë njerëzit e bukur më të aftë, më të zotët, më të zgjuar. Nga eksperienca personale askush nuk është i painteresuar kundrejt mundësisë që të duket më mirë, pavarësisht moshës dhe statusit social, mjafton të dijë që është e mundshme. Tashmë dermato-estetika është perfeksionuar aq shumë sa pothuajse çdo rezultat i dëshiruar mund të realizohet pa kirurgji.
Cili është raporti që ju keni me pacientët?
Pacienti është pacient dhe doktori duhet të jetë doktor. Në Shqipëri ekziston moda e doktorit shok të cilin personalisht e konsiderojë joetike dhe në disfavor të pacientit. E konsideroj këtë profesion si mision dhe çmoj mundësinë e rrallë që të jepet përditë t’i përmirësosh sadopak jetën një personi.
Rrudhat dhe mposhtja e kohës duket sikur është sfida e femrave të sotme. Cila është këshilla juaj, si mund të mbetemi të rinj sa më gjatë?
Kohën nuk e mposht dot askush. Por mund të moshohemi me dinjitet. Shkencërisht qëndrojnë për më gjatë të rinj personat që janë më optimist dhe që nuk gjykojnë. Në një publikim të fundit shkencor me autor fituesen e çmimit Nobel, Dr Elisabeth, telomeret mbajnë të njëjtën gjatësi në çdo riprodhim për kohë më të gjatë, tek këta persona. Edhe nga eksperienca ime e punës, procedurat estetike dalin më të suksesshme dhe qëndron më gjatë rezultati tek personat e suksesshëm në çdo fushë, ata që janë më të lumtur, më të hapur, njerëzit me dinjitet. Unë shpesh them që mjekësia e bukurisë u përket personave të së ardhmes.
Cilat janë trajtimet kryesore që ju ofroni dhe në çfarë metodologjie bazohen ato?
Ofroj çdo trajtim që lidhet me dermatologjinë, venerologjinë, dermato-kozmetiken, anti-aging, endermologji piling, kirurgjinë estetike, dhe shumë të tjera të lidhura dhe bazuara në specialitetin tim të bazës. Si specialitet personal është trajtimi si me fotoshop, dedikuar atyre që vlerësojnë detajet. Është krijuar fillimisht për të plotësuar kërkesat e personave të njohur që ishin nën stresin e paparacëve dhe duhej të dukeshin shkëlqyer si të dalë nga një kopertinë edhe në të përditshmen, po ashtu perfekt edhe në dritat e ekranit. Tjetër specialiteti i im është rezultati natyral dhe trajtimet në veçanti i zonave të vështira apo “të pamundura”. Të tjera specialitete personale janë mezolife, trajtimi i çarjeve të mishit (strija) trajtimi i akneve dhe shenjave të akneve, zvogëlimi i moshës, trajtimi i rrathëve të syve etj.
Shkruar nga Dr. Rudina Thanasi