Skip to content

Dermatologjia Per Femije

main_header-kids-768x213

Dermatologjia per femije

Lëkura e fëmijës është e lëmuar, e kadifenjtë, e gjallë dhe pa shumë shenja e njolla, gjë e cila e bën shpeshherë të vështirë diagnostikimin, por jo të pamundur. Në të njëjtën kohë, lëkura e fëmijës është shumë e ndjeshme dhe vulnerabile ndaj substancave alergjike dhe irrituese. Edhe një lëkurë totalisht e shëndetshme mund të irritohet lehtë nga një kujdes jo i duhur. Vetë vëmendja e madhe e prindërve, gjyshërve, tezeve, hallave dhe komshinjve mund të çojë në një sensibilizim të lëkurës së të voglit.

Me rritjen progresive të shfaqjes së dermatitit atopik, keratozave folikulare, tumoreve vaskulare, u rekomandojmë prindërve që të paktën 2 herë në vit të bëjnë një konsultë dermatologjike, edhe kur fëmija është totalisht i shëndetshëm, sidomos në 3 vitet e para të jetës. Tashmë, dermatologjia mund të ofrojë një informacion paralajmërues për disa shqetësime kutanate dhe predispozita mjekësore, të cilat, të trajtuara apo të parandaluara pa mjekime në vitet e para të jetës, bëjnë ndryshimin në cilësinë e viteve të mëvonshëm.

Fëmijët pëlqejnë ngjyrat, të bukurën dhe shpesh i tremb përparësja e bardhë. Ndaj në një konsultë për fëmijë preferojmë të zhveshim përparësen e bardhë dhe të vishemi me një buzëqeshje dhe shumë ngjyra. Patologjitë më të shpeshta për fëmijë janë dermatiti atopik, ekzematidet, sudam, lezionet infektive dhe pickimet nga insektet.

Ngrohtësisht u rekomandojmë prindërve të shmangin qëndrimin për knjë kohë të gjatë në të gjitha qendrat apo ambientet mjekësore nëse nuk është absolutisht e nevojshme.

Shkruar nga Dr. Rudina Thanasi

Related News